**Dy Punëtorë Humbin Jetën në Hidrocentralin e Ritomit në Zvicër**

Dy punëtorë humbën jetën pas një aksidenti të rëndë që ndodhi të mërkurën, më 9 shtator, në hidrocentralin Ritom në Piotta, në kantonin Ticino të Zvicrës. Fillimisht, autoritetet raportuan për dy punëtorë të plagosur rëndë, por Policia Kantonale e Ticinos konfirmoi më pas vdekjen e të dyve si pasojë e plagëve të marra.

Njëri nga viktimat ishte një 55-vjeçar, shtetas zviceran dhe banues në rajonin e Luganos. Identiteti i viktimës së dytë nuk ishte bërë publik. Të dy personat ishin punonjës të kompanisë AET.

Incidenti shkaktoi dëme të konsiderueshme në objekt, ndërsa sipas raportimeve, një pjesë e ndërtesës mund të jetë shembur. Hetimet paraprake po shqyrtojnë mundësinë e një problemi elektrik me një transformator gjatë një testi funksionimi, por shkaku përfundimtar ende nuk është përcaktuar.

Në vendin e ngjarjes u angazhuan zjarrfikësit, ekipet e shpëtimit “Tre Valli” dhe “Rega”, si dhe forca policie. Zona u sigurua për disa orë, ndërsa hetimet për rrethanat dhe shkakun e saktë të aksidentit po vazhdojnë nën drejtimin e prokurores Valentina Tuoni.

Aksidenti ndodhi në hidrocentralin e vjetër Ritom, i ndërtuar në vitin 1917, dhe jo në objektin e ri që është aktualisht në ndërtim. Kompanitë SBB dhe AET shprehën ngushëllime për familjet e dy viktimave dhe njoftuan se do të bashkëpunojnë me autoritetet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

(Burimi: Blick, transmetuar nga albinfo.ch)