**Gjilan: Dy të vrarë dhe një i plagosur në incidentin fatal, i dyshuari vetëdorëzohet**

Një incident fatal me armë zjarri ka ndodhur sot rreth orës 14:25 në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, duke lënë dy persona të vrarë dhe një tjetër të plagosur.

Sipas burimeve të medias, viktimat janë vëlla e motër, Nafije dhe Egzon Bogujevci, nga fshati Livoq i komunës së Gjilanit.

Si i dyshuar për vrasjen është identifikuar Valon Ramushi, bashkëshorti i viktimës Nafije. Ai dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt viktimave.

Informacionet fillestare sugjerojnë se ngjarja mund të ketë ndodhur si pasojë e problemeve familjare dhe kërkesës për divorc, megjithatë këto të dhëna nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person tjetër i lënduar nga të shtënat, pas ndihmës së parë në spitalin e Gjilanit, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

I dyshuari është vetëdorëzuar në polici. Gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në incident.

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë hetimore përkatëse, po vazhdon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të përcaktuar motivin dhe për të dokumentuar rastin.