Trajneri i një kombëtareje pjesëmarrëse në Kupën e Botës ka dhënë dorëheqje vetëm 77 ditë pasi mori detyrën.

Kupa e Botës 2026 nis më 11 qershor dhe do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Në turne do të marrin pjesë për herë të parë Kepi i Gjelbërt, Curaçao, Jordania dhe Uzbekistani, falë formatit të ri me 48 skuadra.

Curaçao tashmë ka bërë ndryshimin e dytë të trajnerit brenda më pak se tre muajsh.

Ish-trajneri i Sunderlandit, Dick Advocaat, ishte planifikuar të bëhej trajneri më i vjetër që drejton një ndeshje të Kupës së Botës në moshën 78-vjeçare, por u largua në shkurt për t’u kujdesur për vajzën e tij që kishte probleme shëndetësore.

Holandezi e kishte udhëhequr Curaçaon drejt kualifikimit dhe kishte rekomanduar bashkëkombësin e tij Fred Rutten si pasues.

Rutten, i cili më parë kishte drejtuar klube si Schalke 04, PSV Eindhoven dhe RSC Anderlecht, mori drejtimin dhe zhvilloi dy miqësore ndaj Kinës dhe Australisë në mars.

Pas humbjes 2-0 ndaj Kinës, Curaçao u mposht rëndë 5-1 nga Australia në Melbourne, rezultat që tregoi vështirësinë e sfidës për kombëtaren ishullore.

Raportimet e fundit sugjeronin tensione brenda ekipit dhe kërkesa për rikthimin e Advocaatit.

Në deklaratën e tij të dorëheqjes, Rutten konfirmoi largimin pas vetëm 77 ditësh në detyrë.

“Nuk duhet të ekzistojë një klimë që dëmton marrëdhëniet profesionale, si mes lojtarëve ashtu edhe stafit. Prandaj, është e mençur të bëj një hap pas,” deklaroi ai.

Federata e Futbollit e Curaçaos falënderoi Ruttenin për profesionalizmin dhe përgjegjësinë e treguar gjatë periudhës së tij në krye të skuadrës.

Sipas “ESPN”, Dick Advocaat pritet të rikthehet në mënyrë sensacionale si trajner i Curaçaos për Kupën e Botës 2026.

Vendimi raportohet se do të zyrtarizohet nga federata të martën./GazetaExpress/