Tregtarët e veturave në Prishtinë ankohen për hapësira të ngushta në lokacionin e ri të tregut në Bërnicë të Prishtinës.
Ata thonë se vendi është i vogël dhe po i’u pamundëson promovimin e plotë të veturave dhe njësoj po ndikon edhe në aspektin e shitjes. Sikur në tregun e vjetër edhe në këtë lokacion, përveç automjeteve, tregtarët e shfrytëzojnë edhe për shitjen e gjësendeve të tjera, mallrave ushqimore, shpezëve, tekstilit (vesh-mbathje).
Tregtari Mentor Raçi për KosovaPress potencoi këtë problem duke thënë se tegu i ri nuk i plotëson kushtet e pazarit.
“Ky treg nuk i plotëson kushtet e pazarit. Më mirë ka qenë atje se këtu. Nuk ka asgjë që plotëson kushtet e tregut. Hapësira është e vogël, myshteritë s’kanë ku ndalen me shikua…Ka rënie të shitjeve”, tha Raçi.
Se hapësira është e ngushtë për automjete e thotë edhe tregtari, Hysni Robelli.
“Shumë ngushtë është për automjete, shumë ngushtë. Derën s’kam ku me hapë, qe deshta me dalë, ku me dalë, duhet me pritë deri në fund. Ka ndiku fort edhe në aspektin e shitjes jashtëzakonisht shumë”, tha Robelli.
Të ngjashme ankesat i ka edhe Lam Kastrati, i cili thekson nevojën e investimeve për zgjerim të këtyre hapësirave.
“Më mirë se atje poshtë është se u rendojke shumë trafiku, por me pasë mundësinë me rritë, me zmadhu, me investu edhe pak më shumë. Hapësira e ngushtë”, tha Kastrati.
Sikur në tregun e vjetër edhe në këtë lokacion, përveç automjeteve, tregtarët e shfrytëzojnë edhe për shitjen e pemëve dhe perimeve, shpezëve, tekstilit (vesh-mbathje) dhe mobiljeve.
Nga 11 tetori, tregu i veturave në lokacionin e ri
Komuna e Prishtinës njoftoi se, duke filluar nga e diela, 11 tetor 2026, tregu i deritanishëm i veturave që funksiononte në Zonën Industriale, në drejtim të Fushë Kosovës, do të zhvendoset në hapësirën e re në Bërnicë të Poshtme.
“Ftojmë shitësit, blerësit dhe të gjithë vizitorët që nga kjo datë të drejtohen në lokacionin e ri”, thuhet në njoftimin e komunës.

