Prokuroria Themelore në Prishtinë ka finalizuar sot një aksion në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), pas dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Tre zyrtare të këtij institucioni janë ndaluar dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Sipas njoftimit të prokurorisë, zyrtaret me inicialet I.R.J., F.L., dhe A.I.K., dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ato akuzohen se, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin, kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme me qëllim që personi me inicialet I.B. të përfitojë pasuri në mënyrë të paligjshme.
Dyshimet përqendrohen në ndryshimin e pronësisë së aksioneve të kompanisë “N.K.W.P Sh.P.K”, vlera e të cilave tejkalon 50.000 (pesëdhjetë mijë) euro. Prokuroria thekson se aksioni u zhvillua në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe njësitet përkatëse, bazuar në një urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. ARBK funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Pavarësisht lirimit të tyre, rasti mbetet nën hetim të vazhdueshëm.
