Një ngjarje shokuese ka tronditur Italinë, pasi varri i 29-vjeçares Pamela Genini, e cila u vra pesë muaj më parë në Milano, është përdhosur nga persona të panjohur, të cilët dyshohet se i kanë marrë kafkën.

Zbulimi u bë të hënën, më 30 mars, nga punonjësit e varrezave, të cilët konstatuan se arkivoli ishte hapur me forcë dhe i mungonte një pjesë e trupit. Sipas mediave italiane, bëhet fjalë për kafkën e viktimës. Autoritetet dyshojnë se në këtë akt janë përfshirë tre deri në katër persona, ndërsa motivi mbetet i paqartë.

Hetimet janë në zhvillim e sipër. Rasti po trajtohet si përdhosje varri dhe vjedhje e një pjese trupi, vepra që, sipas ligjit italian, dënohen deri në shtatë vjet burgim.

Kjo ngjarje rikujton vrasjen e modeles 29-vjeçare në tetor të vitit 2023. Pamela Genini u gjet e pajetë në ballkonin e apartamentit të saj, e goditur me mbi 20 thika. Ish-partneri i saj, biznesmeni 52-vjeçar Gianluca Soncin, është i dyshuari kryesor për krimin.

Sipas hetimeve, Soncin dyshohet se e kishte përndjekur dhe ushtruar presion ndaj saj për t’u ribashkuar pas ndarjes. Autoritetet besojnë se ai hyri në banesën e saj duke përdorur çelësat që ende i kishte.

Pak para sulmit, viktima kishte paralajmëruar një shoqe për frikën që ndiente ndaj ish-partnerit. Dëshmitarët raportuan se ajo u dëgjua duke kërkuar ndihmë gjatë sulmit.

Pas ngjarjes, i dyshuari tentoi vetëvrasjen, duke plagosur veten në qafë, por mbijetoi. Ai ndodhet në paraburgim dhe përballet me akuza për përndjekje dhe vrasje, ndërsa hetimet për përdhosjen e varrit vazhdojnë.