Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kritikuar ashpër Kanadanë dhe ka kërcënuar me vendosjen e tarifave të reja tregtare, duke e akuzuar për “neglizhencë të qëllimshme” në menaxhimin e zjarreve masive pyjore. Këto zjarre kanë mbuluar me tym një pjesë të madhe të veriut të SHBA-së, sipas raportimit të BBC-së.
Në një postim në platformën sociale Truth Social, zoti Trump deklaroi se “Shtetet e Bashkuara po pushtohen pa nevojë nga ajër i pisët, i ndotur dhe i pashëndetshëm”. Ai theksoi se do të kërkonte shpjegime nga Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, lidhur me mënyrën se si po menaxhohen pyjet dhe situata e zjarreve.
Sipas autoriteteve kanadeze, aktualisht janë aktive rreth 888 zjarre pyjore, shumica e të cilave janë jashtë kontrollit. Mbi 190 prej tyre ndodhen vetëm në provincën e Ontarios.
Reagimi i zotit Trump vjen pas kritikave të mëparshme nga disa ligjvënës republikanë, të cilët akuzuan Kanadanë për mungesë veprimi. Ata paralajmëruan se SHBA-ja mund të shqyrtonte një rol më të drejtpërdrejtë në luftën kundër zjarreve nëse situata nuk përmirësohet.
Nga ana tjetër, Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, u përgjigj duke theksuar se në vend të kritikave, SHBA-ja duhet të ofrojë ndihmë. “Ndoshta, në vend që të ankoheni, dërgoni mbështetje dhe ndihmë, sepse ne kemi vepruar në të njëjtën mënyrë për miqtë tanë amerikanë gjatë zjarreve në Kaliforni dhe uraganeve në Karolinën e Veriut”, deklaroi Ford.
Edhe Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, theksoi se ndryshimet klimatike përbëjnë një përgjegjësi globale dhe se Kanadaja e SHBA-ja duhet të bashkëpunojnë për përballimin e katastrofave natyrore.
