Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do të godasin ura dhe termocentrale iraniane javën e ardhshme, nëse Irani nuk pranon të negociojë.

Duke folur në një intervistë për Fox News, e transmetuar mbrëmë, Trump tha se ushtria amerikane do të zhvendosë fokusin e sulmeve të saj drejt infrastrukturës civile të Iranit.

Ai theksoi se, ndonëse fillimisht synonte të “ruante objektivat e energjisë për në fund”, tani paralajmëron se urat dhe termocentralet iraniane do të sulmohen.

“Do t’i godasim shumë fort sonte, do t’i godasim shumë fort nesër në mbrëmje, do t’i godasim shumë fort natën pasnesër. Dhe pastaj javën tjetër bëhet shumë keq për ta, sepse javën tjetër vijnë termocentralet, javën tjetër vijnë urat”, citohet Trump nga Sky News, raport i transmetuar edhe nga Klankosova.tv.

“Do t’i rrëzojmë të gjitha termocentralet e tyre, do t’i rrëzojmë të gjitha urat e tyre, përveç nëse ata ulen në tryezë dhe negociojnë”, shtoi ai.

I pyetur nëse Irani ishte serioz për të arritur një marrëveshje, Trump u përgjigj shkurt: “Mendoj se ata nuk kanë zgjidhje tjetër”.