**Hagë: Vendimi për ish-krerët e UÇK-së shtyhet sërish, përgjegjësia do të shqyrtohet individualisht**
Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale në Hagë ka vendosur të shtyjë edhe një herë shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Data e re për kumtimin e vendimit është caktuar përfundimisht më 16 shtator.
Në vendimin e publikuar të mërkurën, Trupi Gjykues thekson se një zgjatje e mëtejshme e afatit është “absolutisht e nevojshme” për shkak të volumit të jashtëzakonshëm të provave dhe kompleksitetit të çështjes.
Sipas arsyetimit të gjykatës, gjatë procesit janë marrë dëshmitë e rreth 270 dëshmitarëve dhe janë pranuar si prova 5.467 materiale. Procesverbali i procedurës arrin në 29.238 faqe. Gjykata vlerëson gjithashtu se çështja trajton ngjarje që shtrihen në më shumë se një vit e gjysmë, përfshin një numër të madh vendesh ku pretendohet se janë kryer krime dhe shumë incidente individuale.
Trupi Gjykues thekson se, përveç kompleksitetit të provave, procedura lidhet me akuza ndaj katër të akuzuarve, përgjegjësia e secilit prej të cilëve “duhet të shqyrtohet individualisht dhe me kujdes”.
“Trupi Gjykues konsideron se një zgjatje e mëtejshme është domosdoshmërisht e nevojshme, në bazë të Rregullës 159(1). Trupi Gjykues rikujton se, siç është përcaktuar edhe në Urdhrin për Zgjatjen e Afatit të Shpalljes së Aktgjykimit të Shkallës së Parë, janë marrë dëshmitë e rreth 270 dëshmitarëve (me gojë dhe me shkrim); janë pranuar në prova 5.467 materiale provuese; procesverbali i këtyre procedurave përmban 29.238 faqe. Gjithashtu, ndërlikueshmëria e procedurës në këtë çështje, fakti që ngjarjet mbulojnë më shumë se një vit e gjysmë dhe përfshijnë një numër të madh vendesh ku pretendohet se janë kryer krime, si dhe një numër të konsiderueshëm incidentesh individuale, e bëjnë këtë shtyrje të domosdoshme. Për më tepër, procedurat kanë të bëjnë me akuza ndaj katër të akuzuarve, përgjegjësia e të cilëve duhet të shqyrtohet individualisht dhe me kujdes. Duke pasur parasysh të gjitha këto, për të siguruar një vlerësim të plotë dhe të drejtë të tërësisë së provave dhe për të dhënë një opinion të arsyetuar që merr parasysh volumin e konsiderueshëm të provave dhe ndërlikueshmërinë e procedurës, Trupi Gjykues është i bindur se një zgjatje e mëtejshme është absolutisht e nevojshme,” thuhet në vendim.
Gjykata thekson në vendim se të akuzuarit kanë të drejtë të gjykohen brenda një afati të arsyeshëm dhe është e vetëdijshme për kohën që ata kanë kaluar në paraburgim. Megjithatë, sipas vendimit, një shtyrje shtesë prej pak më pak se 60 ditësh nuk do t’u shkaktojë atyre dëm të panevojshëm, ndërsa është e domosdoshme për të siguruar një vlerësim të plotë, të drejtë dhe të argumentuar të të gjitha provave.
“Trupi Gjykues pranon se, në përputhje me nenin 21, paragrafi 4, pika (d), të akuzuarit kanë të drejtë të gjykohen brenda një afati të arsyeshëm. Trupi Gjykues është i vetëdijshëm për kohën që të akuzuarit kanë kaluar tashmë në paraburgim dhe për nevojën që procedurat të zhvillohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, duke pasur parasysh rrethanat e çështjes, Trupi Gjykues është i bindur se një zgjatje shtesë për një periudhë pak më të shkurtër se 60 ditë nuk do t’u shkaktojë dëm të panevojshëm të akuzuarve. Shtyrja arsyetohet nga nevoja për të siguruar një vlerësim të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të arsyetuar të dosjes së provave, si dhe nga kërkesa për një opinion të argumentuar me shkrim që pasqyron me saktësi atë dosje. Trupi Gjykues është i bindur se asnjë zgjatje më e shkurtër nuk do t’i mundësonte atij të përmbushte siç duhet përgjegjësitë,” citohet në vendim.
Trupi Gjykues bëri të ditur se aktgjykimi i Shkallës së Parë do të shpallet “publikisht në emër të popullit të Kosovës dhe në prani të të akuzuarve, përveç rasteve kur rrethana të jashtëzakonshme e arsyetojnë mungesën e tyre”.
“Trupi Gjykues konsideron se caktimi i një date, në këtë fazë, për shpalljen e Aktgjykimit të Shkallës së Parë u siguron informim të drejtë dhe në kohë të gjithë personave të interesuar,” thuhet në vendimin që mban firmën e kryetarit të Trupit Gjykues, Charles Smith.
