Instituti Albanologjik organizon tryezë shkencore për tekstet e historisë në Kosovë
Instituti Albanologjik i Prishtinës, përmes Degës së Historisë, do të organizojë një tryezë shkencore me temën “Tekstet shkollore të historisë në Republikën e Kosovës (probleme dhe sfida)”.
Ky aktivitet i rëndësishëm do të mbahet më 14 prill 2026, ditë e martë, duke filluar nga ora 10:00, në sallën e katit të epërm të Institutit Albanologjik.
Tryeza do të trajtojë një gamë të gjerë çështjesh lidhur me librat shkollorë të historisë, duke përfshirë aspektet e mësimdhënies në raport me historiografinë, si dhe praninë dhe prezantimin e faktografisë në tekstet shkollore, nga e kaluara deri në ditët e sotme.
Këshilli organizativ i kësaj tryeze përbëhet nga z. Nuridin Ahmeti, këshilltar shkencor dhe shef i Degës së Historisë në IAP, si dhe znj. Zana Hoxha, hulumtuese e pavarur shkencore në të njëjtën degë dhe studiuese e arkeologjisë.
Fjalën hapëse do ta mbajë z. Nuridin Ahmeti. Më pas, një numër i konsiderueshëm studiuesish do të prezantojnë kumtesat e tyre, duke thelluar debatin mbi tema kyçe:
* **Ibrahim GASHI:** “Historia publike si qasje bashkëkohore në mësimdhënien e historisë”;
* **Abdurrahim MAXHUNI:** “Terminologjia si mjet ideologjik në tekstet shkollore të historisë”;
* **Veli KRYEZIU:** “Mësimdhënia e historisë përmes mediave”;
* **Xhemajl HALILI:** “(Dis)balancimi mes kombëtares dhe rajonales në rezultatet lëndore në nivelin e dytë të Arsimit Parauniversitar në Kosovë”;
* **Blerim HALILI:** “Kujtesa kolektive në librat shkollorë të historisë, një perspektivë për të ardhmen”;
* **Nuridin AHMETI:** “Tryezat për tekstet shkollore të historisë në Kosovë: temat, debatet dhe ndikimi i tyre”;
* **Bekim PACI:** “Sfidat në shkrimin e teksteve shkollore të historisë në Kosovë”;
* **Kadire HAZERAJ:** “Sfidat në mësimdhënie dhe mësimnxënie në lëndën e historisë”;
* **Dren BRAHIMAJ:** “Dominimi i faktografisë në librat shkollorë të historisë në Kosovë: një studim empirik”;
* **Zana HOXHA:** “Prezantimi i Dardanisë në tekstet shkollore të historisë së Kosovës”.
Punimet e tryezës do të drejtohen nga z. Ibrahim Gashi dhe znj. Kadire Hazeraj, ndërsa fjalën përmbyllëse do ta mbajë z. Blerim Halili.
