**A shkaktoi ajo shuplakën e Brigitte ndaj Emmanuel Macronit? Kush është Golshifteh Farahani, aktorja iraniane e komplimentuar nga presidenti francez**

Figura e tretë misterioze, e cila sipas mediave franceze thuhet se qëndron prapa shuplakës së bujshme të Brigitte Macronit ndaj Emmanuel Macronit, është aktorja iraniane Golshifteh Farahani.

Sipas gazetarit politik të revistës franceze “Paris Match”, Florian Tardif, në librin e tij “Një Çift (pothuajse) Perfekt”, mesazhet që Brigitte Macron pa në telefonin e bashkëshortit të saj dhe që shkaktuan tension mes çiftit, përmbanin komente për aktoren, duke theksuar se ajo “është shumë e bukur”.

Tardif pretendon gjithashtu se presidenti francez kishte ushqyer një “simpati platonike” ndaj aktores për disa muaj.

“Kjo më është konfirmuar vazhdimisht. Mesazhet krijuan tensione që e shndërruan një debat privat në çështje publike. Fillimisht, u dha përshtypja se gjithçka ishte një keqkuptim, madje serioz, që kishte marrë fund. Por nuk ndodhi kështu,” shprehet gazetari i “Paris Match”.

**Kush është Golshifteh Farahani?**

Aktorja iraniane Golshifteh Farahani është emri që ka rikthyer vëmendjen e medias mbi jetën private të Emmanuel Macronit. E njohur jo vetëm për talentin artistik, por edhe për qëndrimet e saj të forta politike dhe sociale, Farahani ka kritikuar shpesh regjimin iranian për kufizimet ndaj grave dhe mungesën e lirisë artistike.

Golshifteh Farahani lindi dhe u rrit në Teheran. Babai i saj, Behzad Farahani, ishte regjisor dhe aktor teatri, ndërsa nëna e saj, Fahimeh Rahiminia, aktore teatri. Edhe motra e saj, Shaghayegh Farahani, është aktore.

Që në moshë të vogël shfaqi prirje për artin. Në moshën 5-vjeçare nisi studimet për piano, ndërsa më pas u përqendrua te aktrimi, duke fituar eksperiencë që në adoleshencë.

Emri “Golshifteh”, i krijuar nga i ati, do të thotë “lulja që dashuron”, ndërsa emri i saj zyrtar, Rahavard, përkthehet si “dhuratë e rrugës”.

Karriera e saj mori hov në vitin 1998, në moshën 14-vjeçare. Ajo u përzgjodh për rolin kryesor në dramën romantike iraniane “The Pear Tree”. Filmi u vlerësua lart si në Iran, ashtu edhe ndërkombëtarisht, duke e kthyer Farahanin në një emër të njohur dhe duke i hapur rrugën roleve të tjera protagoniste në filma si “Two Angels”, “The Fish Fall in Love” dhe “The Music Man”.

Në vitin 2008, Farahani debutoi në tregun amerikan të kinemasë. Ajo interpretoi përkrah Leonardo DiCaprio dhe Russell Crowe në filmin aksion-thriller “Body of Lies”, duke fituar menjëherë vëmendjen e publikut dhe kritikës si një nga aktoret më premtuese me origjinë iraniane.

Pas këtij suksesi, ofertat për role ndërkombëtare u shtuan ndjeshëm. Filma si “Just Like a Woman”, “Rosewater” dhe “Exodus: Gods and Kings” e konsoliduan statusin e saj si një yll me famë botërore.

Në vitin 2016, Farahani luajti përkrah Adam Driver në filmin “Paterson”, me regji të Jim Jarmusch, i cili u publikua në dhjetor të atij viti.

**Fëmijëria mes luftës dhe frikës**

Në një artikull të publikuar në “Le Monde”, aktorja ka rrëfyer se vitet e para të jetës së saj ishin të mbushura me frikë.

“Lufta kundër diktaturës dhe pushtuesve është në gjakun tonë. Kam lindur në vitin 1983, gjatë luftës me Irakun dhe pas Revolucionit Islamik. Vitet e para të jetës sime ishin plot frikë. Frikë për babanë tim, i cili detyrohej të arratisej si pjesëtar i opozitës. Frikë nga bombat dhe errësira,” ka shkruar ajo.

Karriera e Farahanit lëviz mes kinemasë së pavarur evropiane dhe produksioneve të mëdha të Hollivudit. Për të, ruajtja e balancës mes këtyre dy botëve është thelbësore.

“Nuk dua t’i përkas asnjë ‘kutie’. Mund të luaj në filma të pavarur, në filma aksion dhe të interpretoj në tetë gjuhë të ndryshme. Kur u largova nga Irani, mendoja se në Hollivud do të më ofronin vetëm role terroristeje në filma për Lindjen e Mesme. Nuk e dëshiroja këtë dhe bëra gjithçka për ta thyer atë stereotip,” është shprehur ajo në një intervistë.

“Besoj se të jesh artist sot është një formë rezistence ndaj kësaj bote të çmendur ku jetojmë. Arti është zemra dhe zjarri që ngroh shpirtin e shoqërisë në këto kohë të errëta,” ka deklaruar Farahani.

E pyetur për të ardhmen e Iranit, ajo është përgjigjur: “Kur shpreson, mund të zhgënjehesh. Nuk besoj se kemi më nevojë për shpresë. Jemi të bindur se Irani do të jetë i lirë.”

Farahani jeton në mërgim që prej vitit 2008, pasi autoritetet iraniane ia ndaluan kthimin në vend, meqenëse refuzoi të mbante hixhab gjatë interpretimeve në filma ndërkombëtarë.

Ajo ka mbështetur publikisht protestat pas vdekjes së Mahsa Amini. Më 28 tetor 2022, grupi britanik Coldplay e ftoi të performonte së bashku me ta një version të këngës “Baraye” të Shervin Hajipour, e cila konsiderohet himni i protestave iraniane, gjatë një koncerti në stadiumin River Plate në Buenos Aires. Koncerti u transmetua drejtpërdrejt në më shumë se 3.500 kinema në mbi 70 vende të botës.