**Vizita e zyrtarit të lartë të OKB-së në Kosovë: Takime me Kurtin e Konjufcën, theksohet dialogu me Serbinë**
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) ka dhënë detaje rreth vizitës së Nënsekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB) për Operacionet Paqeruajtëse, Jean-Pierre Lacroix, në Kosovë. Lacroix ka zhvilluar dje takime me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca. Një nga temat kryesore të bisedimeve ishte rëndësia e vazhdimit të dialogut me Serbinë.
Kjo shënon vizitën e dytë të Nënsekretarit të Përgjithshëm Lacroix në Kosovë brenda tre vjetësh. Ai u shoqërua nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Peter Due. Përveç takimeve me krerët e institucioneve, Lacroix u takua gjithashtu me përfaqësues të komunitetit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare të pranishme në Kosovë.
Gjatë takimeve, u vlerësuan përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës dhe progresi i arritur. Po ashtu, u theksua rëndësia e thellimit të dialogut dhe bashkëpunimit. Nënsekretari i Përgjithshëm Lacroix rikonfirmoi mbështetjen e OKB-së për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ai nënvizoi angazhimin e vazhdueshëm të UNMIK-ut për forcimin e sundimit të ligjit, promovimin e të drejtave të njeriut dhe mbështetjen e ndërtimit të besimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë.
