Uran Ismaili: Vetëvendosja refuzoi Adem Demaçin për president, sot mbajnë ligjërata për moral politik

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk ka bazë morale për të mbajtur ligjërata mbi etikën politike, veçanërisht lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ai kujtoi se në të kaluarën, LVV nuk e kishte pranuar propozimin që Adem Demaçi të zgjidhej president.

“Kur Adem Demaçi ishte propozuar për president, Vetëvendosja nuk e pranoi. Albin Kurti personalisht kishte deklaruar refuzimin e tij,” theksoi Ismaili.

Sipas nënkryetarit të PDK-së, në bisedimet për postin e presidentit nuk ishin shfaqur as seriozitet dhe as interes real për bashkëpunim nga ana e Albin Kurtit. Përkundrazi, ai i cilësoi ato si thjesht një përpjekje për të imponuar vullnetin politik të liderit të LVV-së.