**Vazhdojnë gjobat për ndotësit e ambientit në Ferizaj**

Inspektorati Komunal i Ferizajt ka vazhduar aksionin kundër ndotësve të ambientit, duke shqiptuar katër gjoba të reja ndaj qytetarëve që shkelin rregullat e menaxhimit të mbeturinave.

Kryeinspektori Feriz Hyseni bëri të ditur se kontrollet janë kryer në disa zona të qytetit, konkretisht në rrugët “Qamil Ilazi”, “12 Qershori”, “Gjon Serreci” dhe “Uran Tinova”.

Gjobat u janë shqiptuar qytetarëve të cilët kanë hedhur mbeturina jashtë orarit të përcaktuar për grumbullim, jashtë kontejnerëve, si dhe në hapësirat e përbashkëta të objekteve të banimit.

Inspektorati Komunal u bën apel qytetarëve që të tregojnë përgjegjshmëri dhe kujdes gjatë depozitimit të mbeturinave, sidomos gjatë sezonit veror. Temperaturat e larta gjatë kësaj periudhe rrisin rrezikun e përhapjes së sëmundjeve dhe ndikojnë negativisht në shëndetin publik.