**Tragjedi në Ferizaj: Nxënës 15-vjeçar humb jetën në shkollë, dyshohet për arrest kardiak**
Një nxënës 15-vjeçar ka ndërruar jetë sot në Ferizaj, pasi u rrëzua pa ndjenja gjatë orës së edukatës fizike në një shkollë. Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë mbi ngjarjen tragjike.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, njoftoi se viktima kishte mbërritur pa shenja jete në Qendrën Emergjente. Sipas mjekut kujdestar, i riu kishte pësuar arrest kardiak. Për këtë arsye, mjeku ka lëshuar një raport me shkrim, duke rekomanduar dërgimin e trupit në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për autopsi.
Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka autorizuar hetuesit rajonalë të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Me vendim të prokurorit, është iniciuar rasti me titull “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa trupi i pajetë është urdhëruar të dërgohet për autopsi në IML në Prishtinë.
