Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Zubin Potok, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të pandehurin me inicialet B.B. Ky vendim vjen në lidhje me vdekjen e 29-vjeçarit Bajram Selimi, i cili humbi jetën më 1 shtator gjatë punës në një objekt në ndërtim në Zubin Potok.
Kërkesa për caktimin e paraburgimit ishte paraqitur nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Lajmi është konfirmuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë. Ajo bëri të ditur se të pandehurit B.B. i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, pikërisht për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale të lartpërmendur.
Sipas vendimit të gjykatës, masa e paraburgimit llogaritet nga data 1 shtator dhe do të zgjasë deri më 1 tetor. Viktima, 29-vjeçari Bajram Selimi, ishte rrëzuar nga objekti në ndërtim i stacionit policor në Zubin Potok. Pavarësisht dërgimit në spital, ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
