Qasje e Barabartë: Regjistrim Falas për Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar një vendim të rëndësishëm në mbështetje të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Ai bëri të ditur se, edhe këtë vit, do të aplikohet regjistrimi falas për pjesëtarët e këtyre komuniteteve, me qëllim gjithëpërfshirjen dhe qasjen e barabartë në shërbimet komunale.
Ky vendim, i cili vjen në vazhdën e praktikave të viteve të kaluara, synon të heqë barrierat financiare dhe të sigurojë një përfaqësim më të mirë. Krasniqi theksoi se regjistrimi falas dëshmon përkushtimin e qeverisë ndaj përfshirjes, duke garantuar që të gjithë anëtarët e shoqërisë të jenë të njohur dhe të kenë qasje të plotë në shërbimet komunale.
Në kuadër të këtij vendimi, Ministri Krasniqi u ka kërkuar komunave që muajin prill ta shpallin si muaj pa pagesë për regjistrimin e këtyre komuniteteve. Ai i ka udhëzuar ato të krijojnë lehtësira dhe të ofrojnë informacion të plotë e të nevojshëm për procesin e regjistrimit.
Heqja e tarifave të regjistrimit konsiderohet si një hap drejt eliminimit të pengesave financiare që mund të diskriminojnë komunitetet e margjinalizuara. “Kjo qasje jo vetëm që njeh vlerën e tyre thelbësore, por gjithashtu afirmon të drejtën e tyre për trajtim dhe mundësi të barabarta,” përfundoi Krasniqi.
