Trump konfirmon tërheqje masive trupash nga Gjermania: “Shumë më tepër se 5,000”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar se vendi do të tërheqë “shumë më tepër se 5,000” trupa ushtarake nga Gjermania.

Kjo deklaratë e Trump erdhi gjatë një bisede me reporterët, videon e së cilës e publikoi Fox News. Kur u pyetën: “Pse SHBA-ja po i tërheq trupat nga Gjermania?”, presidenti u përgjigj shkurtimisht: “Ne do ta zvogëlojmë shumë numrin, dhe po e zvogëlojmë shumë më tepër se 5,000.”

Këto komente pasojnë raportimet e ditës së djeshme se Sekretari amerikan i Mbrojtjes kishte urdhëruar tërheqjen e rreth 5,000 trupave nga Gjermania brenda vitit të ardhshëm. Vendimi i Pentagonit u mor pasi Trump njoftoi se do të rriste në 25 për qind tarifat për makinat dhe kamionët nga Bashkimi Europian javën e ardhshme. Ai akuzoi bllokun europian se nuk po respektonte një marrëveshje tregtare të nënshkruar verën e kaluar.

Në reagim, Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, u shpreh për AFP-në se tërheqja e trupave amerikane ishte “diçka që pritej”, duke shtuar se “ne, europianët, duhet të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë”.

NATO, nga ana e saj, deklaroi të shtunën se po “bashkëpunon” me Shtetet e Bashkuara për të sqaruar thellësisht vendimin e Uashingtonit.