**”Vetëverbimi”: Skulptura e re provokuese e Banksy-t në Londër**
Në zemër të Londrës, mes monumenteve historike që mishërojnë lavdinë e së kaluarës britanike, është shfaqur papritur një skulpturë e re që sfidon jo vetëm estetikën, por edhe ndërgjegjen kolektive. Vepra u instalua brenda natës në Waterloo Place dhe u konfirmua më pas nga vetë artisti, Banksy, përmes një videoje në rrjetet sociale.
Figura paraqet një burrë me kostum, i vendosur mbi një obelisk, duke marshuar me vendosmëri dhe duke mbajtur një flamur të madh si trofe. Flamuri ia mbulon fytyrën, një element ky, sa i thjeshtë në formë, aq edhe i fuqishëm në simbolikën që përcjell, duke krijuar një tension të menjëhershëm: imazhin e një njeriu të vetëprivuar nga shikimi. Kjo është një metaforë e Banksy-t për epokën aktuale, ku ideologjitë, identitetet dhe bindjet kolektive janë kthyer në një vetëverbim, duke penguar një ecje të shëndoshë përpara. Ky verbërim ka shtyrë vende dhe shoqëri të tëra të marshojnë drejt humnerës me një krenari të papërgjegjshme dhe pompoze.
Ndryshe nga grafitet e tij të zakonshme, të cilat shfaqen në mure urbane si ndërhyrje të shpejta dhe kalimtare, kjo skulpturë mbart një peshë tjetër, fizike dhe simbolike. Vendosja e saj mes monumenteve historike nuk duket aspak rastësore; përkundrazi, ajo krijon një dialog të heshtur mes së kaluarës dhe së tashmes, mes narrativave zyrtare dhe zërave kritikë.
Banksy, siç njihet tashmë, e aplikon artin e tij në fshehtësi, gjatë natës, duke ruajtur kështu misterin që e ka shoqëruar gjithmonë.
Reagimet e mediave dhe të publikut kanë qenë të shumta. Disa e shohin veprën si një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj nacionalizmit të verbër dhe ndjekjes së pakushtëzuar të modeleve problematike, ndërsa të tjerë e interpretojnë si një reflektim më të gjerë mbi njeriun modern dhe humbjen e orientimit në një botë gjithnjë e më komplekse. Përmes kësaj vepre, Banksy nuk qartëson situata apo gjendje, as nuk jep përgjigje të gatshme. Ashtu si në të gjithë veprimtarinë e tij artistike, ai shtron pyetje dhe vendos dilema, karakteristikë kjo që e bën artin në përgjithësi dhe Banksy-n në veçanti, kaq unik.
