**Vjedhje e rëndë në Trepçë: Zhduken dy trafo me vlerë deri në 80 mijë euro, Policia: Rasti po hetohet**
Policia e Kosovës ka bërë të ditur për një vjedhje të rëndë që ka ndodhur në Trepçë, ku janë marrë dy transformatorë (trafë) me një vlerë të përgjithshme që arrin deri në 80 mijë euro.
Në raportin ditor të Policisë, thuhet se vjedhja ka ndodhur në rrugën “Shala e Bajgorës” në Mitrovicë. Një ankues mashkull, shtetas i Kosovës, ka denoncuar ngjarjen e datës 1 maj 2026, e cila është raportuar rreth orës 08:05.
Më tej, në raport specifikohet se janë vjedhur dy transformatorë, konkretisht pjesa e tyre e brendshme prej bakri, me vlerë totale prej 60 deri në 80 mijë euro.
Rasti është klasifikuar si “vjedhje e rëndë” dhe Policia e Kosovës ka nisur hetimet për zbardhjen e tij.
