Vinicius Junior liston pesë favorite për Kupën e Botës
Ylli i Real Madridit dhe sulmuesi i kombëtares së Brazilit, Vinicius Junior, ka ndarë mendimet e tij rreth ëndrrës për të triumfuar në Kupën e Botës me vendin e tij. Ai pranoi gjithashtu se ende nuk ka arritur të shfaqë formën e tij më të mirë me fanellën e Brazilit.
Sulmuesi brazilian theksoi krenarinë e tij për të përfaqësuar vendin në turneun më të madh të futbollit botëror dhe shprehu synimin që Botërori i ardhshëm të shënojë momentin kulmor të karrierës së tij.
“Shpresoj që tetë ndeshjet e Kupës së Botës të jenë ndeshjet më të mira të jetës sime. Përfaqësimi i Brazilit në turneun më të madh të futbollit është një ëndërr që e kam pasur që në fëmijëri dhe dua të jap gjithçka nga vetja për ta ndihmuar vendin tim të fitojë një tjetër Kupë Bote,” deklaroi Vinicius.
Braziliani përmendi gjithashtu kombëtaret që ai i konsideron si pretendente serioze për triumfin në këtë turne.
“Spanja, Franca, Argjentina, Portugalia dhe Gjermania janë të gjitha favorite shumë të forta,” u shpreh ai.
Vinicius pranoi se paraqitjet e tij me kombëtaren nuk kanë qenë në të njëjtin nivel me ato të shfaqura te Real Madridi, duke theksuar se presioni dhe dinamika janë ndryshe.
“Në klubin tim luajmë çdo tre ditë dhe kemi mundësi ta dëshmojmë veten vazhdimisht. Me kombëtaren është më e vështirë dhe nuk kam qenë në të njëjtin nivel. E di që i kemi zhgënjyer njerëzit, por ka ardhur koha që të gjithë të bashkohemi, që ta ndryshojmë historinë tonë dhe ta rikthejmë festën në vendin tonë,” përfundoi sulmuesi brazilian.
