Presidentja Osmani: Gratë ruajtën identitetin dhe mbajtën familjen në kohëra të errëta, Kosova fiton kur udhëheq gruaja
**Prishtinë** – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar sot rëndësinë thelbësore të grave në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe mbajtjen e familjes bashkë, veçanërisht gjatë periudhave të vështira historike. Ajo deklaroi se Kosova fiton kur udhëheq gruaja.
Këto komente Presidentja Osmani i bëri gjatë një takimi me gra, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Osmani theksoi se gratë kanë qenë shtylla që mbajti familjen dhe ruajti identitetin kombëtar kur vendi kalonte kohët më të errëta.
“Ajo që ruajti identitetin tonë kombëtar kur koha e sfidoi, ajo që e mbajti familjen bashkë kur kombi ynë kalonte kohët më të errëta në historinë e vet. Gratë aktiviste që ngritën zërin edhe kur iu rrezikohej jeta. Gratë të cilat sakrifikuan edhe jetën për lirinë, pavarësinë tonë. Në çdo etapë ka qenë gjithmonë një dorë gruaje që ka ngritur, ndërtuar, shëruar, që ka udhëhequr dhe, mbi të gjitha, që ka frymëzuar,” ka deklaruar Osmani.
Presidentja e përmblodhi mesazhin e saj edhe në një postim, duke theksuar:
* Kur ngritet gruaja, lartësohet familja.
* Kur fuqizohet gruaja, forcohet shteti.
* Kur udhëheq gruaja, fiton Kosova.
