Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për postin e presidentes, Vjosa Osmani, ka deklaruar pas tubimit të djeshëm që shënoi hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore, se “mbrëmë u dëgjua zëri i një Republike që nuk përkulet”. Ajo sqaroi se bëhej fjalë për “një Republikë që beson te bashkimi, te demokracia dhe te e ardhmja”.

Në fjalimin e saj, Osmani theksoi se kishte ardhur koha “të dalim nga një lodhje kolektive dhe të hyjmë në politikën e ndërtimit kombëtar”.

Më tej, Osmani vuri në dukje se rugovizmi përfaqëson idenë më moderne që ka njohur populli shqiptar. Ajo e mbylli këtë pikë me citimin e shprehjes se “Rugova nuk ndërtoi kult force, ai ndërtoi kulturë shteti”.