Dënohet me Dy Vjet Burg Hajduti që Vodhi Këngët e Papublikuara të Beyoncé-s
Një burrë është dënuar me dy vjet burgim pasi vodhi disqe të ngurtë (hard disqe) me muzikë të papublikuar të këngëtares Beyoncé. Ngjarja ndodhi pas thyerjes me forcë të një automjeti.
Kelvin Evans, 41 vjeç, u deklarua fajtor për akuzat, përfshirë hyrjen me forcë në një automjet, ngjarje e ndodhur vitin e kaluar në Atlanta, Xhorxhia. Lajmin e raporton BBC.
Evans kishte thyer me forcë një automjet tip “Jeep Wagoneer”, i cili ishte marrë me qira nga një koreograf dhe balerin i këngëtares Beyoncé, më 8 korrik të vitit të kaluar. Kjo ndodhi teksa turneu “Cowboy Carter” i artistes po mbërrinte në Atlanta.
Kur koreografi dhe balerini u kthyen tek automjeti, gjetën xhamin e pasmë të thyer dhe sendet e tyre personale të vjedhura.
Deri më tani, as disqet e ngurtë e as sendet e tjera të vjedhura nuk janë gjetur nga hetuesit.
Evans arriti një marrëveshje për pranimin e fajësisë në gjykatë, ditën e martë, duke shmangur kështu gjyqin e tij që ishte parashikuar për këtë javë.
Autoritetet bënë të ditur se ndër sendet e vjedhura gjendej edhe “informacion i ndjeshëm personal” që i përkiste vetë Beyoncé-s.
