Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, duke theksuar se nuk ekzistojnë rrethana lehtësuese dhe se provat e administruara e dëshmojnë plotësisht fajësinë e tyre, raporton Ekonomia Online.
Në fjalën përfundimtare, ajo ka deklaruar se vrasja ka qenë e planifikuar në mënyrë të detajuar nga i akuzuari kryesor, Naim Murseli, me motiv financiar dhe për shkak të raporteve të prishura bashkëshortore.
Ajo shtoi se ekzekutimi fizik i vrasjes është kryer nga i akuzuari i dytë, Granit Plava, ndërsa i akuzuari i tretë, Kushtrim Kokalla, ka luajtur rol kyç në organizim dhe sigurimin e mjeteve.
“Duke analizuar të gjitha provat, si dhe faktin që pas vrasjes së Liridonës Naimi e ka paraqitur grabitjen dhe e ka hapur rastin si grabitje, është vërtetuar që Naimi, për shkak të raporteve bashkëshortore të prishura për shkak të fitimit financiar dhe në fund të fitimit, nuk di si ndryshe ta quaj fitimin që mendon ta fitosh duke e luajtur viktimën e grabitjes në të cilën e ka parapër që Liridona të jetë dëm kolateral, Naimi me kujdes e ka planifikuar dhe ka përgatitur dhe ka marrë pjesë në kryerjen e vrasjes së Liridonës, të cilën në mënyrë fizike e ka kryer i akuzuari i dytë Granit Plava duke shtënë nga pistoleta të cilën e ka marrë nga Naimi dhe i akuzuari i tretë Kushtrim Kokalla ka gjetur të akuzuarin e dytë Granit Plavën dhe ka kuptuar për armën se kush e shet dhe atje e ka drejtuar Naimin për të blerë armën me të cilën është vrarë Liridona. Fakti që i akuzuari i tretë në mënyrë aktive ka marrë pjesë në planifikimin e vrasjes së Liridonës flet edhe fakti që ka konsideruar që nuk është e nevojshme që të sqarohet më tepër kur Naimi flet për vrasjen e Liridonës, si dhe fakti që në natën kritike pas vrasjes kur ka qenë në hotelin Swiss Diamond dhe e ka thirrur Granit Plava, ai po ashtu nuk ka thënë çfarë rasti kanë. Nuk i ka thënë që është vrarë Liridona, sepse ka konsideruar që nuk ka nevojë t’i tregojë atë që e dinë”, tha ajo.
Në përfundim, prokurorja theksoi se të gjitha provat e mbledhura e mbështesin plotësisht aktakuzën dhe kërkoi nga gjykata që të shqiptojë dënimin maksimal për të akuzuarit.
“Të gjitha provat e mbledhura e vërtetojnë dyshimin e prokurorisë që të akuzuarit kanë kryer veprën penale. Përveç veprës penale, prokurori i propozon gjykatës të sjellë aktgjykim dënues, të akuzuarit t’i shpallë fajtorë për veprat penale me të cilat janë të akuzuar dhe t’i dënojë sipas ligjit. Në këtë rast nuk kemi rrethana lehtësuese, pra prokurori propozon që të tre të akuzuarve t’u shqiptohet dënimi maksimal i paraparë për veprën penale vrasje e rëndë, dënimi me burgim të përjetshëm”, tha ajo.
