Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të mërkurën se ishte e pritshme mungesa e konsensusit mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për hapjen e klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë.

Gjatë një interviste për programin e lajmeve të Radios dhe Televizionit të Serbisë (RTS) të mërkurën në mbrëmje, ai theksoi: “Duhet të shqetësohemi më shumë se cilën rrugë apo hekurudhë të ndërtojmë, jo për cilin klaster. Nuk ka nevojë të shqetësohemi shumë, gjithçka është pak a shumë e pritshme.”

Radio Evropa e Lirë (REL) ka mësuar se në takimin e ambasadorëve të BE-së, të paktën tetë shtete anëtare shprehën kundërshtimin e tyre të qartë dhe pa rezerva ndaj hapjes së këtij klasteri kapitujsh.

Ato përmendën si arsye mangësitë në fushën e sundimit të ligjit, refuzimin e Serbisë për t’u harmonizuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, si dhe mungesën e angazhimit të mjaftueshëm ndaj procesit të integrimit evropian.

Sipas të njëjtave burime, disa shtete të tjera nuk e kundërshtuan hapur hapjen e klasterit 3, por vlerësuan se kushtet për një hap të tillë ende nuk janë plotësuar. Edhe ato shprehën shqetësime për sundimin e ligjit, mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe gjendjen e lirisë së mediave në Serbi.

Mundësia e hapjes së klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë ishte në rendin e ditës në takimin e ambasadorëve të BE-së, pasi Komisioni Evropian kishte rekomanduar me shkrim hapjen e këtij klasteri për Serbinë brenda muajit korrik.

Megjithatë, pas një diskutimi që, sipas burimeve diplomatike të REL-it, zgjati shumë më gjatë sesa ishte parashikuar, kryesuesi i takimit konstatoi se shtetet anëtare të BE-së nuk kanë arritur konsensus për hapjen e klasterit 3 me Serbinë.

Ndërkohë, duke folur për pjesëmarrjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Bratislav Gašić, si i dërguar qeveritar në funeralin e Presidentit të Iranit, Ebrahim Raisi, i cili humbi jetën në një aksident me helikopter më 19 maj, Vuçiq theksoi se ishte “vendimi i tij, sepse Irani nuk e njohu Kosovën”.

Në ceremoninë mortore të liderit iranian, Serbia kishte përfaqësuesin e saj përkrah Rusisë, Bjellorusisë, Armenisë, Gjeorgjisë, Turqisë, Kinës, Pakistanit, Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera.

Vuçiq deklaroi gjithashtu se Serbia nuk do ta ndryshojë politikën e vet ndaj Moskës dhe Kievit në periudhën e ardhshme dhe se do t’i vazhdojë marrëdhëniet e mira me të dyja vendet.

Lideri serb njoftoi gjithashtu se vendimi për të shpallur zgjedhje të reja në Serbi do të merret në gusht ose shtator, me zgjedhjet që me shumë gjasa do të mbahen në tetor ose nëntor, fillimisht ato parlamentare e më pas presidenciale.