Me rastin e Ditës së Çlirimit të Vushtrrisë, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka uruar qytetarët dhe ka marrë pjesë në aktivitetet përkujtimore të organizuara në qytet.
Përmes një postimi në Facebook është bërë e ditur se Idrizi, së bashku me kabinetin qeverisës, deputetin e Kuvendit të Kosovës dhe gjeneralin Rrahman Rama, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së si dhe familjarë të dëshmorëve, kanë bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në Bletaj, duke nderuar me respekt të veçantë sakrificën dhe amanetin e tyre për një Kosovë të lirë.
“Në këtë ditë të shënuar për qytetin tonë, me respekt dhe mirënjohje të thellë përulemi para veprës së atyre që sakrifikuan jetën për lirinë që e gëzojmë sot. Dëshmorët e kombit janë themeli i lirisë sonë, ndërsa kujtimi për ta mbetet i përjetshëm”, tha ai.
Ai shtoi se 17 Qershori mbetet një nga datat më të rëndësishme në historinë e Vushtrrisë, që rikujton sakrificën e bijve dhe bijave të saj për liri.
