**Volkswagen (VW) planifikon të shkurtojë deri në 100,000 vende pune globalisht**
Prodhuesi gjerman i makinave Volkswagen po vijon me planet për shkurtime masive të vendeve të punës. Kompania synon të eliminojë një numër më të madh pozicionesh sesa ishte njoftuar më parë.
Sipas një raporti të “Manager Magazin”, CEO Oliver Blume ka në plan të shkurtojë deri në 100,000 vende pune në mbarë botën gjatë viteve të ardhshme. Revista thekson se burimet e saj janë anonime dhe të brendshme të kompanisë.
Në fillim të këtij viti, plani fillestar ishte shkurtimi i rreth 50,000 vendeve të punës deri në vitin 2030. Megjithatë, shifra e re parashikon një shkurtim dyfish më të madh. Aktualisht, prodhuesi i automjeteve ka rreth 657,000 punonjës në të gjithë botën.
Prodhimi pritet të ndërpritet në katër fabrika gjermane: ato të VW-së në Hanover, Zwickau dhe Emden, si dhe në fabrikën e Audi-t në Neckarsulm. Ky mbyllje do të ndodhë pasi modelet aktuale që prodhohen atje të jenë nxjerrë gradualisht nga prodhimi.
Aktualisht, në Zwickau, kompania prodhon makina elektrike si VW ID.3 dhe Cupra Born. Automjetet komerciale të VW prodhohen në Hanover, ndërsa modelet VW ID.4 dhe ID.7 dalin nga linja e montimit në Emden.
Grupi mund të ristrukturohet thelbësisht në të ardhmen. Marka kryesore Volkswagen dhe dega e komponentëve pritet të shkëputen nga grupi dhe të transformohen në kompani të veçanta. Qëllimi i këtij plani është të lehtësojë listimin e markave individuale të VW-së në bursë.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur prodhuesi më i madh i makinave në Evropë ka kaluar nëpër një periudhë krize prej vitesh. Vitin e kaluar, fitimet ranë me më shumë se gjysmën, me një ngadalësim të veçantë të biznesit në SHBA dhe në tregun e saj më të madh, Kinën.
