Real Madridi pritet të hyjë në një epokë të re këtë verë, me ndryshime të mëdha në skuadër dhe me mundësinë e ardhjes së një trajneri të ri për të zëvendësuar Álvaro Arbeloan.
Një nga largimet më të rëndësishme do të jetë ai i kapitenit Dani Carvajal.
Sezoni ka qenë i vështirë për Carvajalin, i cili është përballur me probleme fizike dhe ka bërë vetëm 20 paraqitje në të gjitha garat.
Ai pritet të mungojë në ndeshjet e mbetura pas një dëmtimi në gishtin e këmbës, që do të thotë se paraqitja e tij e fundit mund të ketë qenë ajo në fitoren 2-1 ndaj Deportivo Alavésit.
Sipas “Marca”, Carvajali nuk do të rinovojë kontratën që përfundon në qershor, pasi drejtuesit e klubit tashmë kanë vendosur të mos i ofrojnë vazhdim.
Kjo nënkupton se mbrojtësi do të largohet nga “Bernabéu” pas shumë vitesh suksesi me fanellën e bardhë.
Real Madridi duket se e ka gjetur zëvendësuesin kryesor në Trent Alexander-Arnoldin, por ka gjasa që të kërkohet edhe një mbrojtës i djathtë tjetër për të plotësuar boshllëkun.
Një opsion mbetet akademia e klubit, “La Fábrica”, ku talentet David Jiménez dhe Jesús Fortea po tregojnë potencial për t’u ngjitur në ekipin e parë.
Mbetet për t’u parë nëse Carvajali do të luajë edhe një herë për Real Madridin.
Ekziston mundësia që ai të rikthehet për ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Athletic Clubit, çka do t’i jepte tifozëve në “Bernabéu” mundësinë për ta përshëndetur për herë të fundit./GazetaExpress/
