Ymeri parashikon lëkundje politike: Një forcë në rënie, tjetra drejt ngritjes
Me Kosovën që po i afrohet zgjedhjeve të 7 qershorit, ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Visar Ymeri, ka parashikuar ndryshime të rëndësishme në skenën politike. Sipas Ymerit, njëra prej forcave kryesore pritet të shënojë rënie, ndërsa një tjetër do të jetë në ngritje.
Fushata parazgjedhore ka intensifikuar aktivitetet e partive kryesore dhe ka nxitur debate të shumta, kryesisht rreth sondazheve, raporteve ndërmjet liderëve dhe rezultateve të pritshme elektorale. Në fokus të zhvillimeve të fundit ka qenë raporti mes Vjosa Osmanit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), si dhe përplasjet mes opozitës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një prononcim për “Front Online”, Ymeri vlerëson se LVV mund të marrë një rezultat më të dobët krahasuar me zgjedhjet e fundit. Në të kundërt, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet të shënojë një ngritje relative, ndërsa pozicioni i LDK-së mbetet ende i paqartë. Ai theksoi se rezultati i 7 qershorit është i vështirë për t’u parashikuar, pasi zhvillimet e fundit politike kanë ndryshuar ndjeshëm dinamikën elektorale.
Afrimi i vonshëm politik mes Vjosa Osmanit dhe LDK-së ka ndikuar që kjo e fundit të jetë në qendër të vëmendjes publike, shpjegoi Ymeri. “Është vështirë të thuhet. Bashkimi është bërë tash vonë, ndërkohë që dinamika e zhvillimeve është e shpejtë. Deri tani, Vjosa Osmani dhe LDK kanë qenë në qendër të vëmendjes, dhe kjo është një promovim në vetvete. Kemi ende një periudhë deri në zgjedhje,” tha Ymeri.
Sipas tij, çdo rritje e mbështetjes për LDK-në dhe Osmanin do të reflektohet drejtpërdrejt në një rënie të votave për LVV-në. “Çfarëdo rritje e LDK-së dhe Vjosa Osmanit është rënie për LVV. Nuk mund ta them me përqindje e aq më pak me numër votash, por gjykuar nga ky pozicion i tashëm, unë e shoh që LVV do të ketë një rezultat pak më të dobët se zgjedhjet e fundit,” deklaroi Ymeri.
Ai komentoi edhe pozicionin e PDK-së, duke theksuar se kjo parti mund të shënojë rritje relative. “PDK mund të ketë një ngritje relative në raport me zgjedhjet e kaluara, duke qenë se ka pasur një votë stabile të cilën nuk mund t’ia marrë askush,” theksoi Ymeri.
