**ARC Mbledh Zyrtarët Komunalë për Zbatimin e Ligjit të të Huajve dhe atij të Automjeteve**
Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC), pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka mbajtur një takim koordinues me përfaqësues të zyrave të gjendjes civile nga të gjitha komunat e Kosovës.
Qëllimi i takimit ishte koordinimi i rolit dhe përgjegjësive të zyrave të gjendjes civile gjatë zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete, si dhe vendimeve të fundit të nxjerra nga Ministri i MPB-së, siç njoftoi vetë Ministria.
Drejtori i Përgjithshëm i ARC-së, Jetmir Haziri, hapi takimin, duke theksuar se ky takim vjen në vazhdën e takimeve të mëparshme për mobilizimin dhe përgatitjen e institucioneve për sfidat që mund të dalin gjatë zbatimit të këtyre ligjeve. Ai shtoi se sfidat e identifikuara në takimet e kaluara janë adresuar dhe disa prej tyre janë shndërruar në vendime të Ministrit të MPB-së, me synim krijimin e lehtësirave në shërbime për qytetarët e Kosovës dhe të huajt.
Gjatë takimit, zyrtarët e MPB-së dhe përfaqësuesit e zyrave komunale të gjendjes civile u zotuan të angazhohen me kapacitet të plotë për zbatimin e saktë të detyrimeve që rrjedhin nga Ligji për të Huajt, Ligji për Automjete dhe vendimet e fundit të ministrit.
Për më tepër, u theksua rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunale për të adresuar çdo sfidë të mundshme që mund të shfaqet.
