Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka konfiskuar mallra të kontrabanduara në vlerë prej rreth 30.000 eurosh në Pejë. Aksioni u krye në bashkëpunim me inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Njësitin Anti-Kontrabandë të Doganave të Kosovës, bazuar në urdhëresa të lëshuara nga Gjykata Themelore në Pejë.
Kontrollet u ushtruan në një subjekt afarist dhe në një shtëpi banimi, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Tregtia e ndaluar” dhe “Kontrabandimi i mallrave”.
Gjatë kontrollit në subjektin afarist u gjetën dhe u konfiskuan:
* Cigare elektrike – 684 copë
* Duhan i grirë – 1400g
* Shije për cigare elektrike – 94 copë
* Filtër për cigare elektrike – 1016 copë
* Shije për shisha – 8 kg
* Cigare të llojeve të ndryshme – 6675 copë
* Cigare PURO – 94 copë
Ndërsa, gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarve u zbuluan dhe u konfiskuan:
* Cigare të kontrabanduara të llojeve të ndryshme – 38200 copë
* Filtër për cigare elektrike – 36200 copë
* Filtër për shishë elektrike – 853 copë
Vlera e përgjithshme e mallrave të konfiskuara, sipas vlerësimit preliminar të zyrtarëve të Doganës, arrin rreth 30.000 euro.
Me vendim të prokurorit kujdestar, ndaj dy personave të dyshuar do të ngrihet kallëzim penal dhe do të ndërmerren procedurat e tjera ligjore të parashikuara për raste të tilla.
