Ditari personal i Papa Françeskut, i mbajtur prej tij për më shumë se 30 vjet, u botua sot si libër, duke zbuluar rrëfime tronditëse. Sipas gazetës italiane “il Giornale”, në faqet e tij, ish-Papa Françesku përshkruan takime të veçanta me djallin.
Libri, i titulluar “Ditari personal i Papa Françeskut”, është botuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (Libreria Editrice Vaticana) dhe po publikohet njëkohësisht në pesë gjuhë, në 94 vende të ndryshme. Redaktimi dhe shënimet janë bërë nga Kardinali Victor Manuel Fernández, Prefekt i Dikasterit për Doktrinën e Besimit dhe një bashkëpunëtor i hershëm i Françeskut. Botimet në anglisht, spanjisht dhe portugalisht janë publikuar nga “Penguin Random House”, ndërsa botimi në frëngjisht nga “Albin Michel”.
Papa Françesku filloi ta shkruante ditarin më 20 dhjetor 1992, në kohën kur u emërua Ipeshkëv Ndihmës i Buenos Airesit. Shënimi i fundit mban datën 18 gusht 2024, tetë muaj para vdekjes së tij. Ai shkruante në të herë pas here, kryesisht gjatë ushtrimeve shpirtërore.
Sipas “il Giornale”, në ditar Françesku përshkruan tri takime të veçanta me djallin. Takimi i parë ndodhi kur ai ishte kryeipeshkëv; ai e pa djallin përmes dritares së një makine, duke e përshkruar vështrimin e tij si njëkohësisht kërcënues dhe joshës. Takimi i dytë u zhvillua në një kapelë karmelitane, nga e cila, siç shënoi ai, u largua me nxitim duke shtrënguar një rruzar. I treti ndodhi në Romë, pak ditë pas udhëtimit të tij në Kili në vitin 2018; sipas shënimit, djalli i foli atij.
Në ditar gjenden edhe shprehje të fuqishme personale. “Mbrëmë pashë hyrjen e ferrit,” shkroi ai më 7 qershor 2018. Dy vjet më parë, ai kishte shënuar: “Nëse djalli sulmon kaq hapur, kjo ndodh sepse nuk më ka mbetur shumë kohë.” Ditari përmend gjithashtu një krizë të thellë shpirtërore, nga janari i vitit 2021 deri në fund të vitit 2022. Gjatë kësaj periudhe, Papa ishte i sëmurë, u prek rëndë nga skandali i abuzimeve në Kishën e Kilit dhe po përballej me presione të brendshme nga Vatikani. Françesku e përshkruan atë kohë si një gjendje thatësie dhe shkretimi shpirtëror. Pjesët që lidhen me qeverisjen e Kishës janë shkruar me kod, dhe Kardinali Fernandez deklaron se nuk mundet dhe nuk dëshiron t’i deshifrojë ato.
Dikur, Françesku ia tregoi ditarin Fernandezit, duke i thënë: “Ti do të vendosësh për këtë.”
Libri do të prezantohet në Milano të shtunën. Papa Françesku ndërroi jetë më 21 prill 2025, në moshën 89-vjeçare.
