Aksion kundër kontrabandës: Sekuestrohen mijëra produkte
Një aksion i përbashkët i Policisë dhe Doganës së Kosovës ka zbuluar një rast të rëndë të kontrabandës me mallra.
Njësia Operacionale Speciale, e përbërë nga Drejtoria Rajonale e Kufirit – Jugu dhe Njësia për Luftimin e Kontrabandës e Doganës, pas marrjes së informacioneve të rëndësishme, ndërmori veprime dhe arriti të identifikonte një vendndodhje e cila shërbente si pikë grumbullimi për mallra kontrabandë.
Kontrolli në këtë vendndodhje u krye me urdhër të Prokurorit të Shtetit në Gjilan, ku gjatë bastisjes u gjetën dhe u sekuestruan një sasi e madhe mallrash, përfshirë 27 mijë filtra të ndryshëm, 91 kilogramë duhan të përpunuar të gatshëm për treg, si dhe 700 poçe elektrike 100W.
Të gjitha mallrat e sekuestruara iu dorëzuan Doganës së Kosovës, ndërsa rasti po trajtohet sipas procedurave ligjore në fuqi./Indeksonline/
