Gjykata Kushtetuese pranë vendimit për dekretin e Presidentes Osmani: Partitë me qëndrime të ndryshme për zgjedhje të reja apo procedurë presidenciale
Gjykata Kushtetuese pritet të shpallë së shpejti vendimin për dekretin e Presidentes Vjosa Osmani, i cili parashikon shpërndarjen e Kuvendit. Ndërkohë, përfaqësues nga partitë kryesore parlamentare kanë shprehur pritjet e tyre për epilogun e këtij procesi.
Vigan Qorrolli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), në emisionin “Debat Plus”, deklaroi se partia e tij pret që dekreti të shpallet i pavlefshëm dhe antikushtetues. Sipas tij, një vendim i tillë do të hapte rrugë për një procedurë të re parlamentare për zgjedhjen e presidentit.
“Pritjet e Vetëvendosjes janë që dekreti së pari të shpallet nul, antikushtetues. Dhe më pas, si pjesë e dytë e aktgjykimit, të lejojë Kuvendin në një procedurë të re të zgjedhë presidentin,” u shpreh Qorrolli.
Nga ana tjetër, Përparim Gruda, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), theksoi se Kuvendi aktual ka humbur legjitimitetin dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të përgjithshme të reja. Ai pret që vendimi i Gjykatës të qartësojë procesin, por nënvizoi se zgjidhja politike duhet të gjendet përmes kthimit te qytetarët, nëpërmjet votës.
“Ne presim që të qartësohet procesi i zgjedhjes së presidentit. Për ne, vendi duhet të shkojë në zgjedhje, sepse ky Kuvend e ka humbur jo vetëm legalitetin por edhe legjitimitetin,” tha Gruda në “Debat Plus”.
Ermal Sadiku, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), theksoi pritjen që dekreti i Presidentes të pranohet. Kjo do të mundësonte shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme brenda afatit kushtetues prej 45 ditësh.
“Presim që dekreti i Presidentes të pranohet dhe të shkojmë në zgjedhje, brenda afatit kohor të përcaktuar me Kushtetutë, pra brenda 45 ditëve,” theksoi Sadiku.
