Zjarret masive në perëndim të Athinës vazhdojnë të përhapen, duke rrezikuar zona të banuara. Rreth 500 zjarrfikës dhe vullnetarë janë në terren, por erërat e forta e bëjnë thuajse të pamundur kontrollin e flakëve.
Vatrat e zjarrit po luftohen në më shumë se 70 zona në gjithë Greqinë. Erërat e fuqishme vazhdojnë të ushqejnë flakët, duke vështirësuar tejet përpjekjet e zjarrfikësve për t’i vënë ato nën kontroll.
Vatrat më të mëdha ndodhen rreth 60 kilometra në perëndim të kryeqytetit, Athinës, nga ku mund të shihen qartë re të mëdha tymi. Rreth 500 forca të Shërbimit Zjarrfikës, të mbështetur edhe nga kolegë nga Rumania dhe Franca, së bashku me vullnetarë, kanë operuar gjatë gjithë natës me mjete ushtarake dhe pajisje të rënda në malin Kithairon.
Veçanërisht të prekura janë zonat Veniza dhe Psatha. Sipas Shërbimit Zjarrfikës, zjarri po përparon drejt lindjes dhe ndodhet vetëm pak kilometra larg qytetit të Megarës, rreth 50 kilometra në perëndim të Athinës.
Një zëdhënës i shërbimit zjarrfikës theksoi se erërat e fuqishme, që kanë arritur deri në 130 kilometra në orë, po pengojnë avionët zjarrfikës të kryejnë operacionet e hedhjes së ujit.
**Zjarre edhe në zona të tjera të Greqisë**
Zjarre janë regjistruar edhe në zona të tjera të Greqisë, përfshirë veriun e gadishullit të Peloponezit dhe ishullin e Kefalonisë, ku një vatër e madhe po përhapet. Megjithatë, sipas televizionit publik grek ERT, deri tani asnjë zonë e banuar në Kefaloni nuk rrezikohet drejtpërdrejt. Ndërkohë, zjarret në pyjet e Kretës janë vënë kryesisht nën kontroll dhe janë shuar në pjesën më të madhe të tyre, sipas mediave lokale.
**Evakuime dhe dëme të mëdha**
Janë dhënë urdhra për evakuimin e disa zonave të banuara. Media raportojnë se mund të jenë shkatërruar deri në 200 shtëpi, por kjo shifër nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Sipas vlerësimit të një meteorologu, publikuar nga portali informativ Protothema, rreth 10.000 hektarë tokë janë shkatërruar në veriperëndim dhe perëndim të rajonit të Athinës si pasojë e zjarreve aktuale. Edhe në Kretë, zjarret kanë prekur rreth 5.000 hektarë tokë.
Një zëdhënës i shërbimit zjarrfikës njoftoi se deri tani janë arrestuar 13 persona në mbarë vendin, nën dyshimin e shkaktimit të zjarrit nga pakujdesia.
