Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion i Kuvendit të Kosovës do të mbajë mbledhjen e radhës, ku në fokus do të jetë raportimi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Nga ora 09:00 pritet të fillojë mbledhja, ku do të raportojë ZRRE lidhur me vendimin për tarifat e energjisë elektrike.

Tarifat e reja të energjisë elektrike të parapara të hyjnë në fuqi më 1 prill, pritet të shtyhen deri më 1 maj.

Tre operatorët energjetikë në Kosovë, në muajin janar të këtij viti kanë kërkuar rritjen e tarifave të rrymës për vitin 2026.

Rritja e çmimit të rrymës është kërkuar nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).