Real Madridi ka sanksionuar mesfushorët e vet, Federico Valverde dhe Aurélien Tchouaméni, me nga 500,000 euro secilin, si pasojë e përfshirjes së tyre në një incident gjatë stërvitjes, i cili la Valverden me nevojë për trajtim mjekësor në spital.

Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, 24 orë pas një mosmarrëveshjeje fillestare mes dy mesfushorëve. Klubi konfirmoi se të dy lojtarët i kanë kërkuar falje njëri-tjetrit, si dhe Real Madridit, duke theksuar se hetimi i brendshëm tashmë është mbyllur.

Në një deklaratë zyrtare, Real Madridi theksoi se pas hapjes së një dosjeje disiplinore, lojtarët janë paraqitur para hetuesit të caktuar. Gjatë kësaj paraqitjeje, ata kanë shprehur keqardhje të plotë për ngjarjen, kanë kërkuar falje ndaj njëri-tjetrit, klubit, bashkëlojtarëve, stafit teknik dhe tifozëve, dhe kanë pranuar sanksionin e vendosur. Klubi ka vendosur gjobën financiare për secilin lojtar, duke e përmbyllur kështu hetimin e brendshëm.

Raportimet fillestare, të shfaqura dy ditë më parë pasdite, flisnin për një përleshje në stërvitje mes Valverdes dhe Tchouaménit. Real Madridi kishte konfirmuar hapjen e një hetimi, duke theksuar se përfaqësuesi i Uruguait ishte trajtuar në spital për shkak të një traume kranioencefalike, një formë tronditjeje.

Megjithatë, Valverde reagoi në rrjetet sociale duke mohuar shkëmbimin e goditjeve. Ai shpjegoi se incidenti ishte shkaktuar nga lodhja e garës dhe frustrimi, duke theksuar se “gjithçka u duk e ekzagjeruar”. Mesfushori zbuloi se gjatë një debati, ai goditi aksidentalisht një tavolinë, duke i shkaktuar një prerje të vogël në ballë që kërkoi trajtim spitalor. Ai theksoi qartë se as bashkëlojtari i tij nuk e goditi atë, dhe as ai nuk goditi Tchouaménin, pavarësisht spekulimeve publike.

Ky incident vjen në një kohë tensionesh brenda Real Madridit. Thuhet se është mbajtur një mbledhje urgjente me presidentin Florentino Pérez, trajnerin e të rinjve Álvaro Arbeloa dhe kapitenin Dani Carvajal. Klubit i janë shtuar edhe probleme të tjera të fundit, me Kylian Mbappé, Antonio Rüdiger dhe Álvaro Carreras, të cilët gjithashtu janë përmendur për arsye negative, duke e kthyer situatën në një “telenovelë” mediatike. Gazeta “Mundo Deportivo” raporton se Vinicius Jr dyshohet se mund të jetë “spiuni” i dhomës së zhveshjes që po i nxjerr informacionet në media.

Situata e brendshme pritet të ketë ndikim në ndeshjen e ardhshme të Real Madridit, kundër rivalit historik, Barcelonës. Kjo e fundit ka nevojë vetëm për një pikë të dielën për të siguruar titullin e La Ligës, dhe mund të shfrytëzojë kaosin te “Los Blancos”.