Një ngjarje tragjike u regjistrua mbrëmjen e djeshme në Bolonjë të Italisë, ku një djalë 12-vjeçar me origjinë shqiptare humbi jetën pas rënies nga dritarja e çatisë së një ndërtese.
Incidenti ndodhi rreth orës 19:00, në Via Piave. Sipas raportimeve paraprake, xhami i çatisë, mbi të cilin po ecte i mituri, nuk arriti të përballonte peshën e tij dhe u thye. Kjo shkaktoi rënien e tij dhe përplasjen në shkallët e poshtme të ndërtesës.
Përpjekjet e shokëve që ndodheshin pranë tij për ta ndihmuar ishin të kota, pasi 12-vjeçari ndërroi jetë menjëherë në vendngjarje.
Menjëherë pas tragjedisë, në vend mbërritën ekipet e urgjencës mjekësore dhe forcat e policisë, të cilat nisën hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të fatkeqësisë. Hetimet mjeko-ligjore po përqendrohen në oborrin e ndërtesës dhe në zonën e shkallëve ku ndodhi përplasja fatale e të miturit.
