Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” (ANP) ka regjistruar një numër rekord prej 127 fluturimesh direkte drejt aeroporteve në Gjermani vetëm gjatë javës së kaluar, duke theksuar rëndësinë e këtij korridori ajror.
Lajmi është bërë i ditur nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili theksoi rëndësinë e këtyre shifrave. Sipas Ajetit, këto fluturime kanë mundësuar qarkullimin e dhjetëra mijëra udhëtarëve dhe shërbejnë si dëshmi e lidhjeve të thella mes dy shteteve.
“Lidhja mes dy shteteve sot është shumë më tepër sesa një udhëtim drejt vendlindjes,” deklaroi ambasadori. “Ajo është një urë lidhëse mes njerëzve, kapitalit, investimeve, ideve dhe mundësive.”
Ai shtoi se lëvizja e lirë dhe roli thelbësor i mërgatës kanë krijuar hapësira të reja ku ndërthuren dimensione ekonomike, turistike, kulturore, arsimore dhe profesionale, duke forcuar kështu marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Të dhënat janë publikuar fillimisht nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës.
