**Arrestohet 24-vjeçari në Koçan: Shkaktoi aksident të rëndë pa patentë dhe i dehur, një pasagjer me lëndime serioze**
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut njoftoi se dje, më 23 korrik 2026, rreth orës 03:30 të mëngjesit, një aksident i rëndë trafiku ndodhi në rrugën rajonale Gërdovc–Zërnovc, pranë Koçanit. Si pasojë, është arrestuar D.N., një 24-vjeçar nga fshati Gradec, zona e Vinicës, i cili po drejtonte automjetin pa patentë dhe nën ndikimin e alkoolit.
Sipas njoftimit të policisë, D.N., duke drejtuar një veturë tip “Opel” me targa të Vinicës, ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rrugës.
Si pasojë e aksidentit, bashkudhëtari S.S. (28 vjeç) nga fshati Jakimovë, gjithashtu në afërsi të Vinicës, pësoi lëndime të rënda trupore. Lëndime trupore pësuan edhe vetë drejtuesi i automjetit, D.N., si dhe bashkudhëtari tjetër, D.A. (28 vjeç) nga fshati Istibanjë, pranë Vinicës. Të lënduarit morën ndihmë mjekësore dhe lëndimet e tyre u konstatuan në Qendrën e Shëndetit Publik në Koçan.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nga ekipi hetimor i policisë së Koçanit, u vërtetua se D.N. nuk posedonte patentë shoferi. Pas testimeve të kryera, rezultoi se ai ishte nën ndikimin e alkoolit, me një nivel prej 1.69 promilësh në gjak.
Me urdhër të prokurorit publik, D.N. është privuar nga liria. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihet një kallëzim përkatës penal.
