Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka ndarë kontratë në vlerë prej 374 mijë e 970 euro e 96 centë për projektin plotësues për zhvillimin e operimeve minerare në Minierën e Re.
Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, operatori ekonomik i përzgjedhur është kompania gjermane “MIBRAG Consulting International GmbH”.
Në këtë aktivitet të prokurimit është pranuar vetëm një tender, ndërsa procedura është zhvilluar përmes negociimit pa publikim të njoftimit për kontratë.
Projekti parasheh hartimin e një plani të detajuar për zhvillimin e aktiviteteve minerare në periudhën 2027–2032, përfshirë avancimin e fronteve të shkallëve në zbulesë dhe në qymyr, si dhe ridefinimin e vijës së zonës së sigurisë dhe zonës së shpronësimeve.
Sipas dokumentit të KEK-ut, ky projekt synon të sigurojë vazhdimësinë e zhvillimit të operimeve minerare në Minierën e Re, duke u ndërlidhur me planifikimet afatgjata deri në vitin 2060.
Kontrata është dhënë më 6 nëntor 2026, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar për 4 dhjetor 2026./IndeksOnline/
