Vendimi i Qeverisë Kurti për të subvencionuar linjat ajrore me 2 milionë euro ka shkaktuar përplasje mes përfaqësuesve politikë, Viktor Buzhala dhe Rashit Qalaj, të cilët e cilësuan masën si ‘investim’ dhe ‘blerje votash’.

Viktor Buzhala, përfaqësues nga Lëvizja Guxo, e ka mbrojtur vendimin, duke theksuar se ndarja e 2 milionë eurove sjell përfitime të konsiderueshme, veçanërisht për diasporën, e cila ka një ndikim të rëndësishëm në ekonominë e vendit.

Gjatë një debati në emisionin ‘Pressing’ në T7, Buzhala shpjegoi arsyetimin pas kësaj lëvizjeje: “Subvencionimi i linjave ajrore ka për qëllim parandalimin e anulimeve të fluturimeve gjatë verës, deri në tetor. Çmimet e kerosenit janë rritur për shkak të bllokimeve në ngushticën e Hormuzit, gjë që ka sjellë rrezikun e anulimit të fluturimeve gjatë sezonit të verës.”

Në anën tjetër, Rashit Qalaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka cilësuar këtë vendim si një “krim financiar” të kryer nga qeveria aktuale. Ai shtoi me ton kritik: “Investim për çka? Për blerje votash?”