**Prokuroria Themelore në Pejë mobilizohet kundër dhunës në familje: Kryeprokurorja mbledh strukturat**

Ushtruesja e Detyrës së Kryeprokurores në Prokurorinë Themelore të Pejës, Valbona Disha-Haxhosaj, ka udhëhequr një takim të rëndësishëm ndërinstitucional. Qëllimi ishte forcimi i bashkëpunimit dhe koordinimit mes institucioneve përgjegjëse për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje, si dhe avancimi i mekanizmave mbrojtës për viktimat.

Në këtë takim morën pjesë prokurorë shteti, përfshirë koordinatorin e ri për rastet e dhunës në familje në Prokurorinë Themelore të Pejës, prokurorin Ermal Demhasaj, prokurorë për të mitur, mbrojtës të viktimave, si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës, qendrat për punë sociale dhe Qendra e Shëndetit Mendor në Pejë.

Gjatë fjalës hyrëse, Valbona Disha-Haxhosaj theksoi se trajtimi i rasteve të dhunës në familje kërkon angazhim të përbashkët, reagim të shpejtë dhe përgjegjësi të qartë institucionale. Ajo nënvizoi se mbrojtja e viktimave duhet të jetë prioritet absolut në çdo fazë të procesit.

Duke iu drejtuar përfaqësuesve, ajo theksoi rëndësinë e adresimit të hapur të mangësive dhe marrjes së përgjegjësisë për përmirësimin e reagimit institucional.

“Nuk duhet të kemi frikë të flasim për atë që nuk funksionon. Duhet të kemi përgjegjësi për ta ndryshuar atë. Viktimat nuk kanë nevojë për premtime, por për mbrojtje. Nuk kanë nevojë për arsyetime, por për veprime. Dhe nuk kanë nevojë që institucionet të reagojnë vetëm pasi të ndodhë tragjedia; ato kanë nevojë që ne të veprojmë para se të jetë tepër vonë. Ky është standardi që kërkoj nga vetja, nga Prokuroria që udhëheq dhe nga secili prej jush,” deklaroi Disha-Haxhosaj.

Ajo kërkoi që, gjatë trajtimit të çdo rasti të dhunës në familje, institucionet të fokusohen në identifikimin e hershëm të rasteve me rrezik të lartë, veçanërisht atyre ku ekziston mundësia e përsëritjes ose përshkallëzimit të dhunës dhe rrezikimit të jetës së viktimave.

Gjithashtu, u theksua rëndësia e shkëmbimit të shpejtë dhe ligjor të informacioneve mes institucioneve, koordinimit të veprimeve konkrete dhe sigurimit të mbrojtjes së vazhdueshme për viktimat. Kjo mbrojtje duhet të shtrihet jo vetëm në momentin e raportimit të dhunës, por gjatë gjithë procedurave hetimore e gjyqësore, si dhe pas marrjes së masave mbrojtëse.

Vëmendje e posaçme iu kushtua përcaktimit të përgjegjësive konkrete të çdo institucioni, caktimit të personave kontaktues për komunikim dhe koordinim të drejtpërdrejtë, si dhe krijimit të një mekanizmi për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve dhe veprimeve të dakorduara. Po ashtu, u ra dakord që çdo mekanizëm institucional të përgatisë raporte mbi sfidat dhe vështirësitë e hasura gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në familje, me theks të veçantë te ato që përfshijnë persona me probleme të shëndetit mendor dhe viktima të mitura. Kjo do të ndihmojë në identifikimin e mangësive dhe përmirësimin e reagimit e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Në këtë kontekst, koordinatori i ri për rastet e dhunës në familje, prokurori Ermal Demhasaj, do të luajë një rol të rëndësishëm. Detyra e tij do të jetë forcimi i bashkëpunimit me institucionet përkatëse, koordinimi i veprimeve dhe avancimi i praktikave të përbashkëta në trajtimin e këtyre rasteve.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e institucioneve shkëmbyen qëndrimet dhe shqetësimet mbi sfidat e hasura në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Ata diskutuan mundësitë për përmirësimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e informacioneve dhe ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta e të koordinuara.

Prokuroria Themelore e Pejës mbetet e përkushtuar në përmbushjen e përgjegjësive të saj ligjore, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje, me qëllim të mbrojtjes efektive të viktimave dhe parandalimit të përsëritjes së akteve të dhunës.