21 Këshilla për një Jetë më të Përmbushur
A keni pyetur ndonjëherë veten çfarë mund të bëni në një moment të caktuar për të përmirësuar cilësinë e jetës tuaj? Nëse po, përgjigjet i gjeni në këtë artikull.
Në Quora, një platformë sociale shkëmbimi informacioni (ku përdoruesit mund të publikojnë pyetje dhe përgjigje për çdo temë), një student 23-vjeçar shtroi pyetjen: “A ka diçka që mund të bëjmë tani e që do të na ndihmojë në pesë vitet e ardhshme?”
Kjo pyetje solli një lumë përgjigjesh, mes të cilave edhe ajo e Andy Giroux, bashkëpunëtor i Quora, e cila konsiderohet një ndër faqet më të preferuara për italianët. Më poshtë, po ju sjellim 21 këshilla të vlefshme:
1. **Bëni ushtrime fizike, sidomos në mëngjes.** Kjo do t’ju ndihmojë në mënyra të ndryshme: do të flini më mirë natën, do të jeni më aktivë ditën, do të qarkulloni gjakun më mirë dhe do të luftoni stresin. Ushtrimet fizike ofrojnë shumë përfitime.
2. **Mos thoni “Do ta bëj nesër” ose “nuk kam kohë.”** E “nesërmja” shpesh shndërrohet në një kohë të pafund që nuk vjen kurrë. Shumica e njerëzve që përdorin këto shprehje janë thjesht përtacë.
3. **Mos gjeni justifikime, por reagoni.** Nëse keni diçka për të bërë, qoftë argëtuese, një përvojë e re apo diçka që ju bën të ndiheni mirë, atëherë thjesht bëjeni.
4. **Lexoni.** Shkëputuni pak nga interneti; mos lexoni vetëm artikuj të shkurtër e të cekët, por zhyteni në lexime domethënëse që mund t’ju frymëzojnë apo t’ju ndihmojnë të pasuroni fjalorin tuaj.
5. **Kurseni në mënyrën më të mirë.** Në 5 ose 10 vitet e ardhshme, do të jeni mirënjohës që keni ndërmarrë këtë hap.
6. **Mos mbani mëri dhe mos grumbulloni urrejtje.** Këto ndjenja shpenzojnë shumë energji, ndaj më mirë shmangini. Edhe nëse dikush provokon ndjenja negative te ju, injorojeni me indiferencë.
7. **Qeshni dhe buzëqeshni, gjithmonë.** Edhe nëse dita ju nis keq, mos harroni të buzëqeshni. Kjo do t’ju ndihmojë të gjeni zgjidhje më të shpejta dhe pozitive.
8. **Ndaluni dhe relaksohuni.** Kjo është thelbësore për mirëqenien tuaj dhe do t’ju përmirësojë shumë si njeri. Rigjeneroni energjitë tuaja.
9. **Jini mirënjohës dhe falënderues.** Ndonjëherë është e vështirë të kuptoni sa me fat jeni, pasi problemet e përditshme mund t’jua fshijnë nga mendja këtë fakt. Reflektoni herë pas here mbi atë që keni dhe jeni. Gjithmonë ka dikush që është më keq se ju, mos e harroni.
10. **Jini bujarë.** Jo vetëm me paratë dhe kohën tuaj, por edhe me atë që jeni. Të qenët bujar nuk do të thotë t’i jepni dikujt diçka vetëm kur ai ka nevojë, por të jeni ai person që ndihmon një të moshuar të kalojë rrugën apo t’i mbajë diçka të rëndë.
11. **Jini (pak) egoistë.** Ndonjëherë. Mund t’ju duket kontradiktore, por edhe kjo është e vlefshme. Herë pas here keni nevojë të injoroni të tjerët dhe të shkëputeni nga bota për veten tuaj. Shkoni për shëtitje, vetëm, ose mund të dilni edhe për shopping.
12. **Mbajeni telefonin në xhep kur jeni me miqtë dhe të afërmit.** Shijoni kohën që kaloni me ta. Teknologjia është gjithmonë aty, por koha me të dashurit tuaj nuk do të jetë gjithmonë në dispozicion.
13. **Mos jini të turpshëm.** Flisni me njerëzit dhe mos u ndruani të hapni një bisedë me ndonjë të panjohur. Sigurisht, duhet të tregoheni të zgjuar dhe të kujdesshëm.
14. **Dëgjoni.** Kur dikush ju flet, dëgjojeni me vëmendje. Mos u përqendroni vetëm te përgjigja juaj, por dëgjojeni seriozisht çfarë thotë. Pasi bashkëbiseduesi juaj të ketë mbaruar, mund të reflektoni pak mbi atë që do të thoni.
15. **Jini vetvetja, por me mençuri.** Mos kini turp për atë që jeni. Mos u shqetësoni për mendimin e të tjerëve. Shijoni jetën dhe veten tuaj. Nëse dikush nuk ju pëlqen për atë që jeni, atëherë ju nuk keni nevojë për atë njeri.
16. **Nëse mundeni, udhëtoni sa më shumë.** Është një përvojë e mrekullueshme! Mund të përballeni me shumë përvoja të papërsëritshme, të cilat nuk do t’i provoni kurrë në të njëjtën mënyrë.
17. **Jini mendjehapur.** Kërkoni të mësoni atë që nuk dini, dhe mos gjykoni apo paragjykoni njerëzit apo fenomenet.
18. **Dashuroni në mënyrë të vërtetë.** Mos kini frikë të fusni persona të rinj në jetën tuaj. Dashuroni pa kushte. Nëse ju kanë lënduar, mësohuni të rigjeneroheni.
19. **Bëni pyetje dhe jini kuriozë.** “Përse” është një nga fjalët më të fuqishme që kemi në dispozicion. Ajo mund të hapë shumë dyer dhe të thellojë njohuritë tona.
20. **Ndiqni ëndrrat dhe pasionet tuaja.** Bëni atë që dashuroni më shumë, por gjithmonë me njërën këmbë në tokë.
21. **Dhe e fundit: Jini pak fëmijë.** Kjo përmbledh shumë nga këshillat e sipërpërmendura. Të qenët fëmijë do të thotë të jetoni si ata: të jeni të hapur ndaj botës me një “injorancë” të gëzueshme!
