Familja e një vajze 17-vjeçare tajlandeze është shprehur e shkatërruar pas gjetjes së trupit të saj në një valixhe në Pattaya. Një shtetas australian është arrestuar dhe akuzuar për vrasjen e saj. Agjencia e lajmeve Reuters ka publikuar pamje tronditëse në lidhje me ngjarjen.

Policia tajlandeze njoftoi se arrestoi shtetasin australian, në moshën rreth 40-vjeçare, në aeroportin Suvarnabhumi të Bangkokut, herët të shtunën. Arrestimi lidhet me vrasjen e ndodhur në Pattaya, rreth 150 km (93 milje) në lindje të kryeqytetit Bangkok.

I dyshuari, i identifikuar si Simon Peter Carman, përballet me akuza për vrasje, fshehje dhe zhvendosje të trupit, si dhe marrje të një të miture për qëllime seksuale.

Policia tajlandeze ka ekzaminuar pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat tregojnë Carmanin duke hyrë në një apartament me viktimën, dhe më pas duke u larguar vetëm pak orë më vonë, duke mbajtur një valixhe.

Në një postim në faqen e saj zyrtare në Facebook, policia theksoi se Carman e ngarkoi valixhen në një motoçikletë dhe u nis drejt një zone me bar pranë një linje hekurudhore. Pas këtyre pamjeve, policia lëshoi një urdhër arresti dhe kapi Carmanin në aeroport, ndërsa ai përgatitej të hipte në një fluturim për t’u kthyer në Australi.

Gjatë marrjes në pyetje në stacionin e policisë, Carman i dërgoi një mesazh familjes së viktimës, para se të transferohej në Gjykatën Provinciale të Pattayas.

“Më vjen keq për atë që i ndodhi vajzës suaj. Ishte jashtë kontrollit tim”, shkroi ai.