Një numër rekord prej 273 të rinjsh u ngjitën në majën e Gjeravicës, pika më e lartë e Kosovës, duke ia dedikuar këtë rrugëtim të pazakontë “heronjve tanë në Hagë”. Ngjitja, e zhvilluar natën, krijoi një pamje madhështore dhe shënoi një moment historik në bjeshkët e Kosovës.
Klubi alpin PBA Peak Bound organizoi këtë ngjarje, e cila theu rekordin e mëparshëm për numrin e pjesëmarrësve në një aktivitet të tillë në Gjeravicë.
Ngjitja u realizua natën e së dielës dhe, sipas organizatorëve, përtej aspektit sportiv dhe aventurës, ajo mbarti edhe një simbolikë të fortë. Pjesëmarrësit ia kushtuan këtë ngjarje ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët aktualisht po gjykohen në Hagë.
Organizatorët theksuan se pamja e “lumit të njerëzve” duke u ngjitur drejt majës ishte madhështore. “Çdo hap ishte i mbushur me emocion, energji, vullnet dhe dashuri për natyrën dhe vendin tonë,” thuhet në mesazhin e tyre pas përfundimit të ngjitjes.
“Këtë ngjitje ia kushtuam heronjve tanë, të cilët padrejtësisht po mbahen në Hagë. Në çdo hap drejt majës, i kujtuam me respekt dhe krenari për sakrificën e tyre,” u shprehën organizatorët. Ata shtuan se gjatë gjithë rrugëtimit, pjesëmarrësit kujtuan me respekt dhe krenari ata që sakrifikuan jetën dhe lirinë për atdheun.
Për sigurinë dhe mbarëvajtjen e ngjitjes u angazhua një ekip i veçantë, i përbërë nga Kastriot Kadrijaj, Riza Lekaj, Atdhe Kastrati, Lavdim Mehani, Bedri Bushi, Erion Maksutaj, Albin Dragusha, Agron Qajani, Milot dhe Agron Iberdemaj. Përkushtimi i tyre gjatë gjithë aktivitetit u vlerësua lart.
Organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit për kontributin në këtë ngjarje, duke e cilësuar atë si dëshmi të fuqisë së rinisë për t’u bashkuar rreth sfidave pozitive dhe aktiviteteve që promovojnë natyrën, sportin dhe solidaritetin.
Mesazhi përmbyllës i organizatorëve, pas kësaj ngjitjeje historike në Gjeravicë, ishte: “273 pjesëmarrës. Një majë. Një qëllim. Një rekord që do të mbahet mend gjatë.”
