**35-vjetori i LSDM-së: Tortën e preu Venko Filipçe, por vëmendjen e mori Zoran Zaev**

Tortën e 35-vjetorit të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) e preu kryetari aktual, Venko Filipçe, megjithatë, ishte ish-kryetari Zoran Zaev ai që tërhoqi vëmendjen kryesore. LSDM-ja festoi mbrëmë 35-vjetorin e themelimit në selinë e saj qendrore në Shkup. Paraqitja e ish-liderit të partisë dhe ish-kryeministrit u prit nga anëtarët me duartrokitje, përqafime dhe kërkesa për fotografi. Kjo ngjarje shkaktoi gjithashtu komente dhe reagime të shumta në media dhe rrjetet sociale.

Përveç Zaevit, në festë morën pjesë edhe ish-funksionarë të lartë partiakë e shtetërorë, si dhe personalitete të tjera publike dhe mediatike. Kryetari Filipçe, në fjalimin e tij para të pranishmëve, bëri një pasqyrim të rrugëtimit të LSDM-së gjatë tre dekadave e gjysmë, duke theksuar rolin e saj në ndërtimin e shtetit, si në periudhat kur ishte në pushtet, ashtu edhe në opozitë. Përveç premtimeve nga programi i LSDM-së në të gjitha fushat, Filipçe adresoi kritika të ashpra kundër kundërshtarëve politikë, në veçanti VMRO-DPMNE-së, duke i cilësuar ata si antievropianë dhe që punojnë në dëm të interesave shtetërore.

“U bëj thirrje: koha e gënjeshtrave, patriotizmit të rrejshëm dhe nacionalizmit të papërpunuar, në dëm të marrëdhënieve ndëretnike dhe interesave më të larta kombëtare, ka mbaruar. Ne do ta kthejmë pushtetin në duart e qytetarëve, prandaj sonte, në 35-vjetorin e LSDM-së, ne jo vetëm që reflektojmë mbi historinë tonë, por gjithashtu kujtojmë parimet tona, duke cituar Kiro Gligorovin: ‘Maqedonia është gjithçka që kemi’,” tha Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.

Ndërkohë, VMRO-DPMNE-ja, në vend të një telegrami urimi, publikoi një komunikatë, duke akuzuar LSDM-në se ende është nën “kthetrat” e Zaevit, i cili, sipas tyre, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm të partisë, ka bërë marrëveshje me opozitën serbe për të ndërtuar një front të përbashkët.

“Zaevi nuk është distancuar nga LSDM-ja dhe politika as për 5 minuta, jo më për 5 vjet. Mbrëmë, në ditëlindjen e partisë, ai erdhi për të treguar se është ende lideri suprem i LSDM-së dhe se të gjithë punojnë sipas udhëzimeve të tij… Për sa kohë Zaev mbetet me LSDM-në, ata nuk kanë ardhmëri. Qytetarët nuk harrojnë,” thanë nga VMRO-DPMNE.

35-vjetori e gjen LSDM-në në një gjendje të vështirë politike, pas humbjeve të thella në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024, si dhe atyre lokale. Pikërisht për këtë arsye, pati zëra brenda partisë që kërkonin përgjegjësi. Ndër ta ishte Petre Shilegov, ndaj të cilit u ngrit një procedurë për përjashtim nga partia, nën akuzën se kishte përgatitur një platformë dhe plan për të dobësuar partinë në momentet kur VMRO shënonte ulje të besueshmërisë, ndërsa LSDM-ja shënonte rritje. Megjithatë, Shilegov doli me një kundër-akuzë, duke pretenduar se Filipçe punon për VMRO-në, në mënyrë që të mos hapen hetime për vepra të mundshme penale.