**Punëtor i lënduar nga rrëzimi i vinçit në Prishtinë, gjendja stabile. QKUK sqaron detajet.**
Prishtinë – Sot, në lagjen “Dragodan” të Prishtinës, një punëtor është lënduar gjatë orarit të punës, pas rrëzimit të një vinçi në një kantier ndërtimi.
Punëtori, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, po punonte kur vinçi është rrëzuar, duke i shkaktuar atij lëndime.
Menjëherë pas aksidentit, punëtori i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Mjekja Dafina Basholli nga Klinika Emergjente, në një deklaratë për Indeksonline, bëri të ditur se gjendja shëndetësore e punëtorit është stabile.
Ajo theksoi se pas ekzaminimeve të nevojshme të kryera në Klinikën Emergjente, i lënduari do të transferohet për trajtim të mëtejshëm në Klinikën e Ortopedisë.
“Gjendja e tij është stabile. Pas trajtimit në dhomën e reanimacionit dhe ekzaminimeve radiologjike, pacienti do të vazhdojë trajtimin në Klinikën e Ortopedisë”, ka thënë Basholli.
