Një 52-vjeçar është gjetur pa shenja jete në Suharekë. Policia ka nisur hetimet për një vdekje të dyshimtë.
Policia e Kosovës ka njoftuar për zbulimin e trupit të pajetë të një personi në Suharekë, i cili u dërgua pa shenja jete në Qendrën Komunale të Mjekësisë Familjare (QKMF). Rasti po hetohet si vdekje e dyshimtë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka ofruar detaje lidhur me ngjarjen.
“Sot, më 08.05.2026, rreth orës 08:20, Policia ka pranuar një njoftim nga shërbimet emergjente të QKMF-së në Suharekë se në institucion ishte sjellë një burrë, rreth 52 vjeç, pa shenja jete. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, Policia ka dalë në vendngjarje, ku personeli mjekësor ka konfirmuar vdekjen e viktimës. Gjatë ekzaminimit të parë, janë vërejtur rrethana që ngjallin dyshime për një vdekje të dyshimtë. Në konsultim me prokurorin e shtetit, Policia ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e rastit. Janë mbledhur prova dhe dëshmi në vendin e ngjarjes në Suharekë, si dhe janë intervistuar dëshmitarë. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes”, ka deklaruar Bytyqi.
